Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Tranziti”, duke goditur veprimtarinë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat, u arrestua në flagrancë G. U., 30 vjeç, banues në Shkodër, i cili udhëtonte i armatosur me armë zjarri.
Operacioni u realizua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacione operative. Kontrolli u krye në një automjet taksi pranë rrethrrotullimit të Shëngjinit, në aksin Lezhë–Shkodër, ku shtetasi u ndalua si i dyshuar për mbajtje armësh pa leje.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti dhe sekuestruar një pistoletë, dy krehra dhe municion luftarak. 30-vjeçari akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në përputhje me Kodin Penal.
Arma e sekuestruar do të dërgohet për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur më parë në ndonjë ngjarje kriminale.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore.


