Sipas programit evropian të vëzhgimit të Tokës “Copernicus”, re të mëdha tymi nga zjarret masive që kanë përfshirë pyjet në Kanada kanë kaluar Oqeanin Atlantik dhe tashmë janë duke ndikuar mbi kontinentin evropian.
Raporti tregon se vala e parë e tymit kaloi rajonin e Mesdheut më 18 dhe 19 maj, ndërsa një re e dytë, më e madhe, ka mbërritur në Evropën veriperëndimore gjatë javës së fundit të majit. Në ditët në vijim pritet që më shumë re tymi të arrijnë në kontinent.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shumica e tymit është përqendruar në shtresat e larta të atmosferës dhe nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e ajrit pranë tokës. Efekti më i dukshëm për qytetarët mund të jenë mjegulla dhe perëndimet spektakolare të diellit, me ngjyra të forta nga e kuqja në portokalli.
Zjarret në Kanada, veçanërisht në provincat Saskatchewan, Manitoba dhe Ontario, janë nxitur nga një kombinim i thatësirës ekstreme dhe erërave të forta. Në disa raste, numri i zjarreve ka kaluar 100, duke detyruar autoritetet të evakuojnë mijëra banorë si masë paraprake.
Përveç Kanadasë, “Copernicus” po monitoron edhe zjarret e mëdha pyjore në juglindje të Rusisë, në zonat përreth liqenit Baikal. Tymi nga këto zjarre është vërejtur të lëvizë drejt Kinës dhe Japonisë veriore.
Shkencëtarët shpjegojnë se re të tilla tymi – të quajtura “piro-kumulonimbus” – krijohen kur zjarret arrijnë intensitet ekstrem, duke shtyrë tymin dhe hirin në lartësi të mëdha përmes energjisë termike, prej nga mund të transportohen për mijëra kilometra nga rrymat ajrore globale.


