Ambasada Amerikane në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim të fortë për prindërit shqiptarë që përdorin vizat turistike për të udhëtuar në SHBA me qëllimin kryesor të lindjes së fëmijëve atje, në mënyrë që ata të përfitojnë nënshtetësinë amerikane.
Në një njoftim zyrtar, teksa shpërndan deklaratën e Departamentit të Shtetit për Çështjet Konsullore ambasada thekson se kjo praktikë, e njohur si “turizmi i lindjes”, është e papranueshme dhe përbën keqpërdorim të sistemit të emigracionit amerikan.
“Prindër që shkojnë në SHBA me vizë turistike për të lindur fëmijën, me synim përfitimin e nënshtetësisë dhe mbulimin e kujdesit mjekësor nga taksapaguesit amerikanë, rrezikojnë të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ambasada sqaroi gjithashtu se oficerët konsullorë do të refuzojnë çdo aplikim që ka për qëllim turizmin e lindjes, në përputhje me ligjet e emigracionit të SHBA.
Ky qëndrim, sipas ambasadës, është pjesë e përpjekjeve të Departamentit të Shtetit për të mbrojtur interesat e komuniteteve dhe taksapaguesve amerikanë.
“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë. Ky njihet si ‘turizmi i lindjes’ dhe oficerët konsullorë të SHBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të ShBA. Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një mënyrë më shumë se si Departamenti Amerikan i Shtetit po u shërben dhe mbron taksapaguesit dhe komunitetet amerikane”, deklaron ambasada.


