Tirana është renditur nga media italiane Turisti per Caso ndër destinacionet më ekonomike të Evropës për një udhëtim gjatë muajit korrik, falë fluturimeve me çmime që në disa raste zbresin nën 30 euro.
Sipas artikullit, edhe në kulmin e sezonit veror është ende e mundur të rezervohen bileta me kosto të ulët nga Italia drejt disa qyteteve evropiane, duke u ofruar turistëve një mundësi ideale për pushime spontane ose për një arratisje të shkurtër para periudhës së ngarkuar të gushtit.
Në mesin e destinacioneve të rekomanduara spikat edhe kryeqyteti shqiptar. Një nga alternativat e sugjeruara është fluturimi nga Aeroporti i Pescarës, veçanërisht i përshtatshëm për udhëtarët nga rajoni i Abruzzo-s dhe zonat përreth.
Pas mbërritjes në Tiranë, vizitorët ftohen të zbulojnë jo vetëm atmosferën e qytetit, por edhe atraksionet natyrore që ndodhen pranë tij. Ndër rekomandimet e medias italiane janë Liqeni i Bovillës dhe Mali i Gamtit, ndërsa për adhuruesit e gastronomisë sugjerohet edhe një tur për degustimin e birrave artizanale.
Përveç Tiranës, lista e destinacioneve evropiane me fluturime nën 30 euro përfshin edhe Shkupin në Maqedoninë e Veriut, Palma de Majorkën në Spanjë, Marsejën në Francë dhe Zagrebin në Kroaci.
Sipas Turisti per Caso, këto destinacione përfaqësojnë një alternativë tërheqëse për turistët që dëshirojnë të udhëtojnë me buxhet të kufizuar, pa hequr dorë nga përvojat kulturore, natyrore dhe gastronomike.


