Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me valën e vlerësimeve negative që prekën biznese të sektorit të turizmit në platformat online, duke e cilësuar atë si një sulm të koordinuar që, sipas tij, synonte të dëmtonte ekonominë e turizmit dhe sipërmarrjet shqiptare në kulmin e sezonit veror.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ndau një artikull të publikuar nga The Tirana Examiner, i cili trajton fenomenin e komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj dhjetëra bizneseve të mikpritjes në Shqipëri.
“Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i The Tirana Examiner shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë me turizmin”, shkroi kryeministri.
Sipas artikullit të cituar nga Rama, gjatë periudhës 6–10 korrik, dhjetëra biznese të sektorit të mikpritjes u përballën me një fushatë të koordinuar vlerësimesh negative në platformën Google.
Publikimi thekson se disa prej strukturave turistike panë një rënie të menjëhershme të vlerësimeve të tyre, përpara se Google të identifikonte aktivitetin e pazakontë dhe të niste rikthimin e vlerësimeve të verifikuara disa ditë më vonë.
Artikulli vëren gjithashtu se ngjarja nxjerr në pah cenueshmërinë e sistemeve të reputacionit online, veçanërisht për vendet që mbështeten te turizmi, ku imazhi digjital i bizneseve luan një rol të rëndësishëm në tërheqjen e vizitorëve gjatë sezonit të pikut.
Ndërkohë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet apo nga Google që fushata e vlerësimeve negative të ketë qenë e motivuar politikisht.


