Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ka telefonuar udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias për t’i nxitur të ndalin konfliktin kufitar që ka shpërthyer këtë javë, duke i paralajmëruar se nuk do të ketë marrëveshje tregtare me asnjërin vend për sa kohë që luftimet vazhdojnë.
“Ne aktualisht po tregtojmë me të dyja vendet, por nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje me asnjërën prej tyre nëse janë në luftë – dhe unë ua thashë këtë!”, shkroi Trump në rrjetet sociale, sipas raportimit të UNN dhe Bloomberg.
Presidenti amerikan tha se ka folur me kryeministrin kamboxhian Hun Manet dhe kryeministrin në detyrë të Tajlandës Phumtham Wechayachai, të cilët, sipas tij, kanë shprehur mbështetje për një “armëpushim të menjëhershëm.”
Konflikti vjen në një moment të ndjeshëm për të dy vendet, që përballen me sfida ekonomike dhe kërcënimin e tarifave të larta 36% nga SHBA. Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit si Indonezia, Filipinet dhe Vietnami kanë përfituar nga marrëveshjet tregtare me administratën Trump, ndërsa Tajlanda, e cila varet shumë nga eksportet, nuk ka siguruar ende një marrëveshje të tillë.


