Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë fjalës së tij në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ka komentuar edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Trump u shpreh se të dyja palët kanë bërë “një punë të jashtëzakonshme”, por shtoi se në rast se lindin probleme, ai është i gatshëm të ndërhyjë personalisht.
“Kosova–Serbia, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Nëse nuk shkoni mirë, më merrni në telefon dhe do ta zgjidhim”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Trump foli edhe për çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë raportet me Kinën dhe situatën me Iranin. Ai përmendi gjithashtu rolin e dhëndrit të tij, Jared Kushner, si i dërguar për paqen në rajon gjatë mandatit të tij.
Sa i përket Iranit, presidenti amerikan theksoi se është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar se në të kundërt “do të ndodhin gjëra të këqija”.
Deklaratat u bënë në kuadër të aktivitetit të Bordit të Paqes, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë.


