Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se lufta kundër Iranit mund të përfundojë së shpejti, duke thënë për CBS News, partner mediatik i BBC, se “mendoj se lufta është gati e përfunduar, pothuajse tërësisht”.
Trump tha se SHBA-të janë “shumë përpara afatit”, duke pretenduar se Irani tashmë ka humbur një pjesë të madhe të kapaciteteve ushtarake. Sipas tij, Teherani “nuk ka marinë, as komunikime, as forcë ajrore”, ndërsa raketat iraniane janë “të shpërndara në një shkallë të caktuar”.
Kur u pyet nëse konflikti mund të përfundojë shpejt, Trump u përgjigj se “përfundimi është gjithçka në mendjen time”. Më herët, White House kishte paralajmëruar se lufta, e cila ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, mund të zgjasë edhe më shumë se një muaj.
I pyetur për udhëheqësin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, presidenti amerikan tha se “nuk kam asnjë mesazh për të”, por shtoi se ka në mendje një person që mund të zëvendësojë udhëheqjen aktuale iraniane, pa dhënë detaje.
Trump bëri të ditur gjithashtu se administrata e tij po shqyrton mundësinë për të marrë nën kontroll Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
Ndërkohë, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që nga nisja e konfliktit dhe aktualisht po luhaten rreth 100 dollarë për fuçi.


