Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se do të zbatojë “100%” kërcënimin për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë kërkesën e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës.
Aleatët evropianë janë mbledhur rreth sovranitetit të Groenlandës. Ministri i Jashtëm i Danimarkës theksoi se presidenti amerikan nuk mund të kërcënojë për të fituar pronësinë e territorit gjysmë-autonom danez.
Sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper, ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar se e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset vetëm nga “Greenlandasit dhe danezët”.
Të hënën, Trump nuk e përjashtoi përdorimin e forcës dhe insisto i se do të vazhdojë me tarifat e kërcënuara mbi mallrat që vijnë nga Britania dhe shtatë vende të tjera aleate të NATO-s.
Pyetur nga NBC News nëse do të përdorë forcë për të marrë Groenlandën, Trump tha: “Pa koment”.
Presidenti amerikan njoftoi se do t’i vendosë Britanisë një tarifë prej 10% për “çdo dhe të gjitha mallrat” që dërgohen në SHBA nga 1 shkurt, duke e rritur në 25% nga 1 qershori, deri sa të arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës nga Danimarka.
Të njëjtat tarifa do të aplikohen për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën – të gjitha vende anëtare të NATO-s.
Kur u pyet nëse do të zbatojë kërcënimin për tarifat, Trump u përgjigj: “Po, 100%.”
Ai shtoi se Evropa duhet të fokusohet tek lufta me Rusinë dhe Ukrainën, sepse “kjo është ajo që po ndodh atje… Kjo duhet të jetë prioriteti i Evropës – jo Groenlanda.”
Danimarka ka paralajmëruar se një veprim ushtarak amerikan në Groenlandë do të shënonte fundin e NATO-s. Së fundmi, disa vende evropiane kanë dërguar një numër të vogël trupash në Groenlandë, në një lëvizje simbolike, ndërsa Trump shpalli më pas vendosjen e tarifave ndaj tetë aleatëve të NATO-s.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se Evropa duhet t’i tregojë presidentit Trump se kërcënimet me tarifa “nuk janë rruga përpara”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca do të vazhdojë të punojë me Danimarkën dhe Groenlandën për sigurinë e Arktikut.
Bashkimi Evropian do të mbajë një samit emergjent të liderëve në Bruksel të enjten për të diskutuar mënyrën e përgjigjes ndaj kërcënimit të fundit të Trump për të marrë Groenlandën.
Kaja Kallas, kreu i politikës së jashtme të BE-së, tha se blloku nuk ka interes të nisë një konflikt, por do të qëndrojë i palëkundur. “Por kërcënimet tregtare nuk janë mënyra e duhur. Sovraniteti nuk është për t’u shitur,” shtoi ajo.
Në të njëjtën kohë u bënë publike shkëmbime mesazhesh midis Trump dhe kryeministrit norvegjez, që treguan se presidenti amerikan e fajësoi Norvegjinë për faktin që nuk mori Çmimin Nobel për Paqen.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre shpjegoi se një komitet i pavarur, jo qeveria norvegjeze, jep çmimin, i cili në tetor të kaluar shkoi tek udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado.
“Qëndrimi i Norvegjisë për Groenlandën është i qartë. Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe Norvegjia e mbështet plotësisht këtë,” shtoi Støre.
Trump gjithashtu komentoi shkëmbimin e mesazheve dhe tha: “Norvegjia kontrollon totalisht çmimin, pavarësisht se çfarë thonë. Ata thonë se nuk kanë të bëjnë me të, por kanë gjithçka të bëjnë me të.”


