Informohu siç duhet

Tripletë historike për Besëlidhjen, Ylli Ujka: Kjo është fitorja më e bukur për Lezhën

Skuadra e basketbollit Besëlidhja ka përmbyllur një sezon historik duke fituar kampionatin, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, një arritje e rrallë që e ngjit ekipin lezhjan në majën e basketbollit shqiptar.

Presidenti i klubit, Ylli Ujka, është shprehur thellësisht i emocionuar për këtë sukses të trefishtë, duke e cilësuar atë jo vetëm si një triumf sportiv, por si një ëndërr të kthyer në realitet për Lezhën dhe për të gjithë ata që besuan te skuadra.

“Ky sezon ishte më shumë se lojë – ishte përkushtim, sakrificë dhe besim. Dhe në fund, ishte fitorja më e bukur,” u shpreh Ujka pas fitores, duke falënderuar lojtarët, trajnerin Afrim Bilali dhe tifozët për mbështetjen e tyre të palëkundur.

Në themel të këtij suksesi qëndron një mbështetje solide financiare dhe organizative. Kompania X-ONE, në pronësi të Ylli Ujkës dhe ortakut të tij Çesk Ivanaj, është kthyer në një shtyllë të fortë për Besëlidhjen. Dyshja e biznesmenëve kanë investuar me vizion dhe pasion, duke ndërtuar një ekip që lufton me zemër dhe nuk dorëzohet.

“Pa mbështetjen e X-ONE dhe sponsorëve të tjerë, ky sukses nuk do të ishte i mundur. Kemi ndërtuar një ekip që fiton me zemër,” theksoi Ujka.

Lezha ka arsye të festojë, sepse Besëlidhja jo vetëm që është kampione, por ka dëshmuar se është një model i suksesit në sportin shqiptar. Dhe sipas drejtuesve të saj, kjo është vetëm fillimi.

Exit mobile version