Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Konispol.
Sipas burimeve mësohet se një 69 vjeçar ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij, dhe kjo e fundit ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.
Pak minuta më vonë, 69 vjeçari me iniciale H. I., u konfliktua me të birin. Shtetasi K. I., rreth 40 vjeç mësohet se e ka shtyrë babanë e tij nga shkallët e si rrjedhojë ai ka humbur jetën.
Nuk janë zbuluar akoma shkaqet e ngjarjes, por dyshohet se e gjitha ndodhi për motive të dobëta.
Njoftimi I Policisë
Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe.
Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


