SERBI
Gjashtë persona janë arrestuar në Serbi lidhur me tragjedinë e rëndë që ndodhi në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 njerëz. Ndër të arrestuarit është edhe Tomislav Momiroviç, ish-ministër i Ndërtimit dhe Infrastrukturës gjatë periudhës 2020-2022. Ai u ndalua në aeroportin e Beogradit, pak para se të nisej për në një destinacion të huaj, sipas raporteve nga mediat serbe.
Përveç Momiroviç, policia ka tentuar të arrestojë edhe një tjetër ish-ministër, Goran Vesiç, i cili ka mbajtur postin e ministër i Ndërtimit dhe Infrastrukturës deri në mes të nëntorit 2024, kur dha dorëheqjen pas tragjedisë. Sidoqoftë, ai nuk është gjetur në shtëpi dhe më vonë u transportua urgjentisht në spital për një operacion kirurgjikal.
Arrestimet përfshijnë gjithashtu zv.ministren e këtij dikasteri, si dhe disa zyrtarë të kompanive që ishin të përfshira në rindërtimin dhe rikualifikimin e stacionit hekurudhor, i cili përfundoi vetëm tre muaj para ngjarjes fatale.
Tragjedia ka shkaktuar një reagim të fuqishëm në Serbi, me protesta masive ku u kërkua dorëheqja e presidentit Aleksandër Vuçiç. Hetimet për shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme janë ende duke u zhvilluar.
Radar.al

