Një ngjarje e rëndë ka tronditur Suedinë mbrëmjen e së dielës, ku një i ri shqiptar humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri në zonën e Kvarngärdet, në Uppsala.
Sipas raportimeve, viktima është Gent Maksutaj, ndërsa familjarët e tij kanë reaguar me dhimbje në rrjetet sociale. Ata pretendojnë se i riu është vrarë gabimisht, duke ngritur dyshime se ai mund të ketë qenë një kalimtar i rastit gjatë një konflikti të dyshuar mes grupeve kriminale. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet suedeze.
Mesazhe prekëse janë publikuar edhe nga babai i të ndjerit, i cili ka shprehur dhimbjen për humbjen e të birit.
Policia suedeze u njoftua për të shtëna me armë rreth orës 21:00 të së dielës. Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe identifikimin e autorëve.
Sipas autoriteteve, në orët e para të mëngjesit është ndaluar një person nën moshën 18 vjeç, i dyshuar për përfshirje në vrasje. Hetimet vijojnë dhe motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i ditur.
Deri tani nuk janë publikuar detaje lidhur me ceremoninë mortore të Gent Maksutajt. Familja pritet të njoftojë në ditët në vijim për zhvillimin e homazheve dhe varrimit.


