Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë mesditë në lagunën e Patokut, në Kurbin, ku dy të mitur 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë dhe dyshohet se janë marrë nga rrjedha e ujit.
Sipas njoftimit të Policisë, adoleshentët kanë hyrë në det përmes kanalit që lidh lagunën me detin Adriatik, por dyshohet se janë kapur nga rrjedha e fortë. Njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar me urgjencë në spital, ndërsa miku i tij nuk është gjetur ende dhe dyshohet se është mbytur.
Shërbimet e Policisë së Kurbinit dhe të Policisë Kufitare ndodhen në vendngjarje, ndërkohë që është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve të RENEA-s për të vijuar kërkimet nën ujë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.


