Një shpërthim i rëndë në një fabrikë fishekzjarrësh në Italinë qendrore ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Ngjarja ndodhi në Torano di Borgorose, në provincën e Rietit, rreth 70 kilometra në verilindje të Romës. Viktimat janë identifikuar si Simone Cole, 30 vjeç, punonjës i fabrikës, dhe nëna e tij, Teresa Tocci, 60 vjeçe. Trupat e tyre u nxorën nga rrënojat pas ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit.
Autoritetet italiane bënë të ditur se edhe dy punëtorë të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi, ndërsa nuk janë dhënë ende informacione të detajuara mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Fabrika, në pronësi të kompanisë Pirotecnica Mattei, ka qenë edhe më parë skenë e aksidenteve fatale. Në korrik të vitit 2023, një tjetër shpërthim në të njëjtin impiant u mori jetën tre personave, mes tyre xhaxhait të Simone Cole dhe dy fëmijëve të tij.
Pas asaj tragjedie, pronarët e kompanisë, Fabrizio dhe Gaetano Mattei, u dënuan me katër vite burg për shkelje të rregullave mbi ruajtjen e lëndëve shpërthyese, punësim të padeklaruar dhe vrasje nga pakujdesia. Megjithatë, pasi siguruan një licencë të re, aktiviteti i fabrikës rifilloi.
Pas shpërthimit të fundit, Konfederata Italiane e Sindikatave (CGIL) kërkoi një hetim të plotë për të sqaruar shkaqet e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse janë respektuar të gjitha standardet e sigurisë në punë.
Historia e kësaj fabrike është shoqëruar nga aksidente të rënda ndër vite. Një shpërthim i madh i regjistruar në vitin 1983 shkaktoi vdekjen e gjashtë personave, mes tyre tre anëtarë të familjes Mattei.


