Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur një ditë më parë në Itali i ka marrë jetën dy të rinjve shqiptarë, ndërsa një tjetër person që udhëtonte me ta ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Viktimat janë identifikuar si Blendi Syla, 20 vjeç, dhe Robert Daçi, ndërsa identiteti i të plagosurit ende nuk është bërë publik nga autoritetet.

Sipas mediave italiane, të rinjtë po udhëtonin me një automjet tip Jeep Avenger, i cili u përplas me një kamion. Përplasja rezultoi fatale për dy djemtë shqiptarë, të cilët u nxorën pa shenja jete nga automjeti.
Në kamion ndodheshin dy persona, një burrë dhe një grua, të cilët mbetën të lënduar dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, familjarë dhe të afërm të Blendi Sylës kanë reaguar në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e tij të parakohshme.
“Me dhimbje të thellë njoftoj ndarjen nga jeta të nipit tim, Blendi Syla, 20 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti në Itali,” shkruan një i afërm, duke shtuar se ceremonia mortore do të njoftohet pasi trupi të kthehet në Shqipëri.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.



