Futbolli francez është në zi pas ndarjes nga jeta të 21-vjeçarit Kenzo Kies, lojtar i skuadrës rezervë të Guingamp, i cili humbi jetën pasi u mbyt në lumin Rhône, pranë Lionit.
Sipas raportimeve, i riu kishte hyrë në ujë së bashku me tre miq për t’u freskuar nga temperaturat e larta që kanë përfshirë Francën ditët e fundit, ku në disa zona termometri ka arritur deri në 40 gradë Celsius. Për arsye ende të paqarta, ai u zhduk nën ujë dhe u nxor më vonë nga ekipet e shpëtimit në gjendje kritike.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, Kenzo Kies ndërroi jetë në spital. Tre personat e tjerë arritën të shpëtohen, ndërsa ai ishte i fundit që u gjet nga ekipet e emergjencës.
Ngjarja tragjike ndodh në një periudhë kur Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila sipas autoriteteve ka sjellë dhjetëra viktima dhe rreth 40 raste mbytjesh në pak ditë.
Kenzo Kies ishte formuar në akademitë e njohura të Olympique Lyonnais dhe AS Saint-Étienne, përpara se t’i bashkohej EA Guingamp vitin e kaluar, ku shihej si një talent premtues i futbollit francez.
Klubi i Guingamp reagoi me dhimbje të madhe për humbjen e tij, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke garantuar mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë. Edhe Saint-Étienne e përshkroi si një lojtar të talentuar dhe një djalë të respektuar nga të gjithë në akademi.
Klubi ka bërë të ditur se do të organizojë një ceremoni përkujtimore në “Stade Geoffroy-Guichard” në fillim të sezonit të ardhshëm, në nderim të kujtimit të tij.
#KenzoKies #Francë #Futboll #Tragjedi #Guingamp #Lyon #SaintEtienne #Lajme #Sport #Aktualitet


