Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, duke arrestuar në flagrancë një 27-vjeçar.
Operacioni policor, i koduar “Barriera”, u zhvillua pas disa javësh hetimesh me metoda proaktive dhe në bashkëpunim mes specialistëve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, Forcës Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Gjatë aksionit, në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, shërbimet e policisë ndaluan një automjet tip “Volkswagen” që drejtohej nga i riu nga Kosova. Gjatë kontrollit të mjetit, nën kofano u gjetën 10 pistoleta të tipit “Glock” me municion luftarak, ndërsa më pas u sekuestruan edhe 2 armë të tjera, duke e çuar totalin në 12 pistoleta.
Nga hetimet paraprake dyshohet se armët e zjarrit do të shiteshin në zonën e “Freskut”, në Tiranë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


