SPANJË– Francisco Salazar, një prej zyrtarëve të lartë të partisë, ka dhënë dorëheqje pas akuzave për ngacmim seksual të ngritura nga disa punonjëse.
Ai mbante funksionin e mbikëqyrësit të koordinimit institucional në pallatin Moncloa, rezidenca dhe zyra zyrtare e kryeministrit, u largua të shtunën nga posti i tij dhe nga roli si zëvendës në sekretariatin e partisë.
Bëhet me dije se akuzat kanë dalë në dritë pas një artikulli të publikuar nga portali elDiario, ku disa punonjëse të komitetit federal të partisë denonconin sjellje të papërshtatshme nga Salazar.
Pavarësisht se Salazar ka mohuar të ketë pasur sjellje të pahijshme dhe thotë se nuk i kujtohet asnjë incident i tillë, ai ka kërkuar falje publike për atë që e cilësoi si humbje të besimit. Aktualisht, janë raportuar hetime për çështjen, por ende nuk është ngritur ndonjë padi zyrtare ndaj tij.
Kjo ngjarje vjen në një moment të vështirë për kryeministrin Sanchez, i cili ndodhet nën presion në rritje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pas një serie skandalesh që kanë minuar premtimet për transparencë dhe integritet me të cilat ai erdhi në pushtet shtatë vite më parë.
Në një deklaratë të fortë, Sanchez u shpreh se nuk do të dorëhiqet: Kapiteni nuk i shmanget përgjegjësisë kur deti bëhet i trazuar. Ai qëndron për t’i bërë ballë stuhisë dhe për ta çuar anijen në port.


