Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar ashpër pas incidentit të rëndë në palestrën e sportit në Kumanovë, ku gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni e Veriut–Rumani u dëgjuan kore raciste dhe thirrje të hapura antishqiptare.
“Thirrjet fyese në Kumanovë janë një alarm për të gjithë ne. Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm dhe respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, u shpreh ambasadori në një deklaratë publike.
Në tribunat e ndeshjes, ku ishin të pranishëm kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski dhe zyrtarë të tjerë të lartë, tifozët thërrisnin parulla si:
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, si dhe fraza skandaloze: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.
Pavarësisht gjuhës së urrejtjes që u dëgjua gjatë gjithë ndeshjes, asnjë prej autoriteteve të pranishme nuk reagoi, ndërsa incidenti ka ngjallur indinjatë të fortë në opinionin publik dhe komunitetet shqiptare në rajon.


