Kopshti Zoologjik i Aalborgut në Danimarkë ka nisur një fushatë të pazakontë dhe kontroverse, duke i bërë thirrje publikut që të dhurojë kafshë shtëpiake të shëndetshme, por të padëshiruara – si pula, lepuj, derra dhe kuaj – për t’i përdorur si ushqim për grabitqarët në kopësht, përfshirë luanët, tigrat dhe rrëqebujt euroaziatikë.
Sipas stafit të institucionit, kafshët që dhurohen nuk futen gjallë në kafaze, por eutanizohen në mënyrë të kontrolluar dhe humane nga personel i trajnuar, përpara se të përdoren për ushqim. Ky lloj ushqimi, sipas kopshtit, përfaqëson një dietë më të ngjashme me atë që grabitqarët do të kishin në natyrë dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit të tyre fizik dhe mendor.
Në një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale, drejtuesit e kopshtit nënvizuan se kanë për detyrë të respektojnë zinxhirin ushqimor natyror dhe se përdorimi i mishit të kafshëve të plota, me kocka dhe lesh, ka përfitime shumë më të mëdha për grabitqarët sesa mishi i përpunuar nga industria.
Zëvendësdrejtoresha Pia Nielsen sqaroi se kjo praktikë është e njohur dhe është ndjekur prej vitesh në Danimarkë. Ajo theksoi se është një mënyrë e përgjegjshme për të përballuar realitetin e kafshëve të padëshiruara, që ndryshe mund të përfundonin të braktisura ose të eutanizuara pa asnjë dobi.
Kopshti pranon deri në katër kafshë njëherësh dhe vetëm gjatë ditëve të javës, pas caktimit të një takimi paraprak. Në rastin e kuajve, ata duhet të kenë pasaportë dhe të mos jenë trajtuar për sëmundje apo me medikamente gjatë 30 ditëve të fundit. Si shtesë, donatorët e kuajve mund të përfitojnë edhe një lehtësi tatimore.
Reagimet në publik kanë qenë të përziera. Disa e konsiderojnë këtë si një mënyrë të natyrshme dhe praktike për të menaxhuar ushqimin e grabitqarëve, ndërsa të tjerë e kritikojnë për shkak të ndjeshmërisë që shoqëron kafshët shtëpiake. Megjithatë, drejtuesit e kopshtit theksojnë se qëllimi është mirëqenia e kafshëve dhe transparenca në proces, duke ofruar një zgjidhje etike për një problem që ekziston në shumë vende.
Sipas tyre, kjo iniciativë është mirëpritur nga shumë qytetarë dhe bashkëpunëtorë, të cilët e shohin si një mënyrë të dobishme për të kontribuar në kujdesin ndaj kafshëve të egra dhe për të shmangur shkatërrimin e kafshëve që nuk duhen më në familje apo ferma.
Radar.al


