Moti i keq në orët e fundit ka përfshirë disa vende të rajonit. Në Mal të Zi ka raportime se disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur në veri të vendit.
Kjo pasi dy lumenj dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Kryetari i komunës së Shavnikut, Jugosllav Jakiq, tha se dy lumenj dolën nga shtrati në pjesën e Parkut Natyror Komarnica.
Ai shpërndau në rrjetet sociale pamje që shfaqin lumenjtë e fryrë dhe shtëpitë e përmbytura përreth. Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi në disa shatra të kësaj komune u ndërpre. Reshjet e mëdha të shiut e kanë rritur nivelin e lumenjve edhe në pjesën qendrore të vendit.
Niveli i lumit Moraça në Podgoricë është rritur për 7.5 metra, ndërsa ai i lumit Zeta në Danilovgrad për 5.5 metra, tha për Radion Evropa e Lirë Instituti Hidrometeorologjik i Malit të Zi.
Për shkak të reshjeve të dendura është ndërprerë qarkullimi mbi dy ura dhe në një rrugë në Danilovgrad, rreth 20 kilometra larg Podgoricës.
Në brigjet e Moraçës dhe Ribnicës në Podgoricë janë përmbytur lokalet e plazhit përgjatë këtyre dy lumenjve. Reshjet e dendura të shiut shkaktuan telashe në qarkullim, ndërsa erërat e forta shkulën pemët.


