PATOK– Kryetari i njësisë administrative Fushë Kuqe, Kristo Martinaj, ka përfunduar pas hekurave pasi tentoi të përfitonte një sipërfaqe toke në lagunën e Patokut.
Bazuar në informacionet e bëra publike, dyshohet se Martinaj ka porositur shtetas të ndryshëm, për të hedhur inerte në afërsi të lokalit të tij, në zonën e mbrojtur të lagunës së Patokut, me qëllim përfitimin e sipërfaqes së tokës.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Kurbin, njoftuan sot (12 Nëntor) se si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë ndaluar me iniciativë shtetasin Kristo (Fred) Martinaj, 55 vjeç, me detyrë kryetar i njësisë administrative Fushë-Kuqe. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka porositur shtetas të ndryshëm, për të hedhur inerte në afërsi të lokalit të tij, në zonën e mbrojtur të lagunës së Patokut, me qëllim përfitimin e sipërfaqes së tokës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “pushtimi i tokës”, teksa pritet të zbardhen edhe detaje të tjera nga aktiviteti i paligjshëm./Radar.al


