Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka nënshkruar dekretin që lejon vendosjen e trupave shtesë të NATO-s në territorin polak, në kuadër të operacionit “Roja Lindore”.
Ky vendim shihet si një hap i rëndësishëm për përforcimin e sigurisë kombëtare, pas incidenteve të fundit kur dronë rusë shkelën hapësirën ajrore polake.
Sipas njoftimit zyrtar:
“Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, nënshkroi një dekret për praninë në territorin e Polonisë të kontingjentit të forcave të huaja nga shtetet anëtare të NATO-s, në kuadër të përforcimit të Republikës së Polonisë në operacionin ‘Roja Lindore’.”
Tensionet janë rritur ndjeshëm mes NATO-s dhe Rusisë, sidomos pas ngjarjes së 10 shtatorit, kur avionët polakë dhe aleatë ndërhynë për rrëzimin e dronëve që shkelën kufirin ajror.
Kryeministri Donald Tusk paralajmëroi se situata është “më e rrezikshmja që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe kërkoi konsultime urgjente me aleatët, duke iu referuar Nenit 4 të Traktatit të NATO-s.
Në operacion morën pjesë avionë luftarakë F-35 nga Holanda dhe mjete të NATO-s për mbikëqyrje ajrore, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi shkeljen e territorit polak, duke shprehur gatishmëri për bisedime me Varshavën.


