Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe deklaruan se gjatë ditës së sotme janë përballur me një valë të re sulmesh nga Irani.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtatë raketa dhe 27 dronë që po drejtoheshin drejt territorit të vendit nga Irani.
Autoritetet ushtarake bënë të ditur se objektivat u identifikuan dhe u goditën sapo hynë në hapësirën ajrore të vendit, duke shmangur dëme të mundshme.
Ministria e Mbrojtjes theksoi gjithashtu se që nga fillimi i sulmeve iraniane, mbrojtja ajrore e Emirateve është përballur në total me 285 raketa balistike, 15 raketa lundrimi dhe 1567 dronë.
Sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e këtyre kërcënimeve është neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, duke parandaluar pasoja më të rënda.


