Qeveria ka vendosur një tarifë të re për çdo pasagjer të transportuar nga kompanitë e sektorit detar, ajror dhe tokësor. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, çdo kompani e transportit do të paguajë 200 lekë për pasagjer, për të mbuluar kostot e sistemit që mbledh dhe përpunon të dhënat e udhëtimit, të cilat ndihmojnë shtetin në kontrollin e hyrjeve dhe daljeve nga vendi.
Procedura e raportimit:
Transportuesit janë të detyruar që brenda datës 5 të çdo muaji të dorëzojnë pranë Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit raportin e pasagjerëve të transportuar gjatë muajit paraprak. Brenda 5 ditëve pune, sektori verifikon dhe konfirmon të dhënat, të cilat i përcjell më pas operatorit ekonomik që ofron shërbimin e transmetimit dhe transformimit të informacionit të udhëtimit.
Të dhënat përfshijnë kryesisht datat e lëvizjes së pasagjerëve, destinacionet dhe rastet e anulimeve, dhe do të menaxhohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë përmes sistemit të ri të Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU).
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se vlera e tarifës mund të transmetohet te pasagjerët përmes çmimit të biletës, dhe do të rishikohet çdo vit. Pas vitit të parë, tarifa do të rishikohet dhe caktohet në një vlerë fikse çdo 3 vjet, duke u përdorur për mbulimin e kostove të transmetimit dhe transformimit të informacionit.
Për kompanitë që nuk paguajnë në kohë, parashikohen gjoba sipas ligjit. Qeveria thekson se kjo tarifë synon të rrisë sigurinë e lëvizjes së pasagjerëve dhe të garantojë transparencë në menaxhimin e të dhënave të tyre.


