Për qytetarët që zotërojnë një automjet nuk është më e nevojshme të paraqiten fizikisht në sportele për të paguar taksat, pasi pagesat tashmë mund të kryhen direkt në portalin qeveritar e-Albania. Përmes regjistrimit në aplikacion dhe hapave në seksionin “Taksat e mia”, qytetarët mund të paguajnë detyrimet për mjetet e tyre në moment, një shërbim i mundësuar nga DPSHTRR në bashkëpunim me AKSHI, që do të lehtësojë procedurat për mbi një milion përdorues.
Endri Haxhiu, drejtor i përgjithshëm i DPSHTRR, deklaron se siguria është maksimale dhe të gjitha bankat dhe aktorët janë të certifikuar për sigurinë kibernetike dhe fizike, ndërsa qytetari merr njoftim të menjëhershëm pas pagesës.
Sipas të dhënave zyrtare, 1 milion e 57 mijë qytetarë mund të kryejnë pagesat pa shkuar më në sportele, duke marrë njoftime edhe për skadimin e patentës apo certifikatës së kontrollit teknik. Haxhiu nënvizon se ky është vetëm hapi i parë dhe se pritet zgjerim i mëtejshëm i shërbimeve të digjitalizuara për të lehtësuar qytetarët dhe për të rritur transparencën, duke kursyer kohë, ditë pune, kilometra të përshkruara dhe rreth 57.9 milionë lekë.


