Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur në prag të ndeshjes së shumëpritur kundër Serbisë që do të luhet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2026. Ai theksoi se pret një përballje të bukur dhe se tashmë ka një ide të qartë për formacionin titullar.
“Ata janë një ekip i fortë, me lojtarë si Mitroviç e Joviç, por edhe ne kemi futbollistë të shkëlqyer. Dua të dhurojmë një ndeshje të bukur për të gjithë, për veten dhe për tifozët. Futemi në fushë për tre pikët.”
Trajneri brazilian shtoi se skuadra është stërvitur mirë dhe se pavarësisht kalendarit të ngjeshur, është bërë përgatitja e duhur.
“Kemi bërë 5-6 ditë shumë të mira stërvitje. Kam në mendje formacionin, por do ta vendos përfundimisht nesër. Është një skuadër ndryshe, më e pjekur.”
Reagon edhe për “videon sekrete” të stërvitjes
Lidhur me raportimet në media serbe për një video të kapur gjatë stërvitjes së kuqezinjve, Sylvinho u tregua i qetë dhe tha se nuk ka asgjë për të fshehur:
“Ata na njohin dhe ne i njohim. Futbolli sot është i hapur, analizat janë të zakonshme. E rëndësishme është çfarë ndodh në fushë.”
Thirrje lojtarëve: “90 minuta për të dhënë shpirtin në fushë”
Sylvinho i bëri thirrje lojtarëve të fokusohen vetëm te loja dhe jo te rrjetet sociale, duke theksuar se kjo është një mundësi për të treguar veten dhe për të luftuar për fanellën:
“Në kohën time nuk kishte rrjete sociale. Kjo gjeneratë është më e ekspozuar, por mesazhi im është i qartë: këto 90 minuta janë momenti për të lënë shpirtin në fushë.”
Trajneri u shpreh gjithashtu i emocionuar për atmosferën që pritet në “Arenën Kombëtare”:
“22 mijë tifozë do të jenë aty. Ata janë lojtari ynë i 12-të. Doja të sillja dhe babain tim nga Brazili, por ishte një udhëtim i gjatë. Gjithsesi, shpresoj që të gjithë ta shijojnë këtë ndeshje.”


