Vijojnë të ndryshojnë masat e sigurisë për personat e arrestuar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Sarandës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për çështjen e ndërtimeve pa leje në Sarandë.
Me vendimet më të fundit të gjykatave, edhe dy të arrestuar të tjerë janë lënë të lirë, duke e çuar në 13 numrin e personave që nuk ndodhen më në paraburgim nga 14 të arrestuarit e kësaj dosjeje.
Njëri prej tyre është inspektori i policisë, Robert Culli, i cili ishte arrestuar më 15 maj nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest në burg” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ndërkohë, Gjykata e Sarandës vendosi masën “arrest në shtëpi” për Mirdar Koshin, i cili akuzohet për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”. Koshi ishte vetëdorëzuar pranë autoriteteve më 15 korrik.
Operacionet u zhvilluan nga AMP dhe Prokuroria e Sarandës në datat 15 dhe 25 maj, në kuadër të hetimeve për ndërtime pa leje dhe dyshime për shpërdorim detyre.
Aktualisht, nga të gjithë personat e arrestuar në këtë procedim penal, në masën e sigurisë “arrest në burg” vijon të mbetet vetëm ish-shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari.
Bashllari u arrestua më 15 maj dhe si Gjykata e Shkallës së Parë, ashtu edhe Gjykata e Apelit kanë lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij.
Ndërkohë, pjesa tjetër e të proceduarve janë liruar me masa më të lehta sigurie, ndërsa dy persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje vijojnë të jenë në kërkim.


