Aktorja amerikane Susan Sarandon u shfaq e prekur gjatë një konference për shtyp në Barcelonë, para ndarjes së çmimeve Goya Awards, ku vlerësoi Spanjën për atë që e quajti “qartësi morale” në qëndrimin ndaj Gazës.
Fituesja e çmimit Oscar falënderoi qeverinë spanjolle dhe figurat kulturore për mbështetjen publike ndaj popullit palestinez, duke theksuar se kjo i bën mbështetësit jashtë vendit të ndihen “më pak të vetmuar”. Ajo përmendi edhe aktorin Javier Bardem për zërin e tij të fortë mbi çështjen.
“Në një vend ku ndjen represion dhe censurë, të shohësh Spanjën dhe atë që thotë për Gazën është shumë e rëndësishme për ne në Shtetet e Bashkuara. Kur shihni sa e qartë moralisht është Spanja për këto çështje, ndiheni më pak të vetmuar dhe ndjeni se ka shpresë,” u shpreh ajo, duke luftuar me emocionet.
Sarandon, e njohur për aktivizmin e saj ndër vite, përsëriti mbështetjen për vetëvendosjen e popullit palestinez dhe kritikoi ashpër ICE, duke e akuzuar për praktika të paligjshme ndaj komuniteteve me ngjyrë në SHBA.
Aktorja deklaroi gjithashtu se ka pësuar pasoja profesionale për qëndrimet e saj, duke pretenduar se agjencia e saj e përfaqësimit e pushoi pasi ajo mori pjesë në marshime dhe bëri thirrje për armëpushim në Gaza. Sipas saj, që prej asaj kohe, angazhimet në filma dhe televizione janë bërë më të rralla.
Sarandon ndodhet në Barcelonë për të marrë një çmim ndërkombëtar nga Akademia Spanjolle e Filmit, si vlerësim për kontributin e saj shumëvjeçar në kinematografi.


