Nëntë persona humbën jetën dhe më shumë se 50 të tjerë mbetën të plagosur të dielën pasdite në Beit Shemesh, pranë Jerusalem, pas një goditjeje të drejtpërdrejtë me raketë balistike iraniane.
Raketa goditi një zonë banimi në qytet, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa përreth. Mes objekteve të prekura ishte edhe një sinagogë, ndërsa një strehë publike kundër bombave u dëmtua rëndë.
Sipas policisë izraelite, 11 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja.
Shërbimi i ambulancës Magen David Adom konfirmoi se tetë viktima u shpallën të vdekura në vendngjarje, ndërsa 28 të plagosur u transportuan në spitale, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Viktima e nëntë ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Nga ana tjetër, Shaare Zedek Medical Center bëri të ditur se po trajton gjashtë persona, përfshirë një fëmijë katërvjeçar në gjendje të moderuar. Të plagosur të tjerë u dërguan në Qendrën e Urgjencës Terem në Beit Shemesh dhe në Spitalet Universitare Hadassah Medical Center në Mount Scopus dhe Ein Kerem.
Ushtria izraelite ka dislokuar forca shtesë kërkim-shpëtimi dhe ekipe mjekësore në zonë, ndërsa një helikopter ushtarak po asiston në evakuimin e të plagosurve. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet dhe operacionet në terren.


