Pamje tronditëse të dhunës janë publikuar në gjyqin e dy vëllezërve, të cilët sulmuan brutalisht oficerët britanikë të policisë në aeroportin e Mançesterit, gjatë një incidenti që ndodhi më 23 korrik të vitit të kaluar.
Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe tregon momentin kur Mohammed Fahir Amaaz, 20 vjeç, dhe vëllai i tij Muhammad Amaad, 26 vjeç, përleshën dhunshëm me tre oficerë policie pranë pikës së pagesës së parkimit në aeroport.
Sipas prokurorisë, policia kishte ndërhyrë për të arrestuar Amaaz, pasi ai dyshohej se kishte goditur me kokë një pasagjer në një kafene Starbucks në zonën e mbërritjeve. Por në përpjekje për ta ndaluar, situata degjeneroi në një përplasje të dhunshme që zgjati rreth tre minuta.
Mohammed Amaaz u pa duke goditur policët me dhjetë grushte, shkelma dhe bërryla. Ndërsa vëllai i tij, Amaad, shpërndau gjashtë grushte, duke penguar arrestimin. Një nga oficerët, Zachary Marsden, deklaroi se kishte frikë se njëri nga vëllezërit po përpiqej t’i merrte armën nga këllëfi gjatë përleshjes.
Pas disa minutash rezistencë, oficerët përdorën armët elektroshoku për të neutralizuar të dyshuarit dhe për të marrë kontrollin e situatës. Njëri prej policëve pësoi një thyerje në hundë si pasojë e dhunës.
Të dy vëllezërit po përballen me akuza serioze në Gjykatën e Liverpulit, ndërsa procesi gjyqësor vazhdon.


