Këngëtari britanik Sting (Gordon Matthew Thomas Sumner) ka folur sërish hapur për mënyrën si e sheh pasurinë dhe trashëgiminë, duke theksuar se nuk planifikon t’u lërë fëmijëve të tij pasuri të madhe pa u përpjekur vetë në jetë.
Në një intervistë për CBS Sunday Morning, ai u shpreh se ideja që fëmijët të mos kenë nevojë të punojnë është, sipas tij, e dëmshme.
“Mendoj se gjëja më e keqe që mund t’i bësh një fëmije është t’i thuash: ‘Nuk ke pse të punosh’. Mendoj se kjo është një formë abuzimi,” tha Sting.
Ai shtoi se nuk planifikon të krijojë fonde besimi (trust funds) për gjashtë fëmijët e tij, duke argumentuar se një gjë e tillë mund të kthehet në barrë më shumë sesa ndihmë. Sipas tij, fëmijët duhet të ndërtojnë vetë jetën dhe suksesin e tyre.
“Po i shpenzoj paratë tona. Po ju paguaj shkollimin. Keni gjithçka që ju duhet. Shkoni në punë,” është mesazhi që ai thotë se ua përsërit fëmijëve.
Sting theksoi se synimi i tij është t’u japë edukim dhe bazat e nevojshme, por jo një jetë të garantuar financiarisht pa përpjekje, duke shtuar se nuk dëshiron t’ua “vjedhë aventurën e jetës”.
Artisti ka gjashtë fëmijë dhe prej vitesh ka mbajtur të njëjtin qëndrim publik mbi këtë çështje.


