Shpërthime të reja janë raportuar në disa qytete të jugut të Iranit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vijuar për të pestën natë radhazi operacionet ushtarake kundër objektivave iraniane.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Mehr”, shpërthime janë dëgjuar në qytetin Ahvaz, në provincën Khuzestan. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësguvernatori i kësaj province. Ndërkohë, agjencia shtetërore “IRNA” raportoi për shpërthime edhe në qytetin bregdetar Bushehr.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi nisjen e valës së pestë të sulmeve ndaj Iranit, duke deklaruar se operacioni ka për qëllim dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të Teheranit.
Më herët gjatë natës, mediat iraniane kishin raportuar për shpërthime edhe në ishullin Qeshm, si dhe në zonat Bandar Abbas dhe Chabahar.
Shtëpia e Bardhë: Irani shkeli marrëveshjen e mirëkuptimit
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, deklaroi se Irani vijon komunikimet me Uashingtonin dhe se synon arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas saj, arsyeja e përshkallëzimit të situatës dhe e sulmeve të fundit lidhet me atë që ajo e cilësoi si shkelje të memorandumit të mirëkuptimit nga ana e Iranit.
“Arsyeja e sulmeve të ditëve të fundit është se Irani shkeli memorandumin e mirëkuptimit që kishim”, deklaroi Levitt.
Ajo shtoi se, sipas marrëveshjes, autoritetet iraniane nuk duhej të hapnin zjarr ndaj anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
“Por, për fat të keq, ata morën vendimin tragjik për ta bërë këtë”, tha zyrtarja amerikane.
Levitt bëri të ditur gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për anijet që nuk kanë destinacion apo nisje nga portet iraniane, ndërsa Marina amerikane vijon praninë në rajon për të garantuar sigurinë e lundrimit.


