Policia spanjolle ka arrestuar Domenico Paviglianitin, i njohur me nofkën “Don Mico”, një nga figurat më të kërkuara të organizatës mafioze italiane “Ndrangheta”. Lajmi u konfirmua nga autoritetet spanjolle dhe prokurorët italianë në Kalabri.
65-vjeçari, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest evropian që prej vitit 2022, u kap në qytetin e Sorias, rreth 200 kilometra në verilindje të Madridit, pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve spanjolle dhe italiane që zgjati disa muaj.
Sipas hetuesve, Paviglianiti akuzohet në Itali për një sërë veprash penale, përfshirë trafik droge, pastrim parash dhe krime të dhunshme. Ai pritet të vuajë një dënim prej 19 vitesh burg.
Policia spanjolle publikoi edhe pamje nga momenti i arrestimit, ku “Don Mico” shfaqet i prangosur dhe shoqërohet nga efektivët pa bërë rezistencë.
Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë do të nisin në ditët në vijim.
Sipas mediave spanjolle, kjo nuk është hera e parë që Paviglianiti arrestohet në Spanjë. Ai u ndalua fillimisht në vitin 1996 dhe u ekstradua në Itali në vitin 1999, ku vuajti rreth dy dekada burg. Më pas u lirua për shkak të një gabimi në llogaritjen e dënimit dhe në vitin 2021 u arrestua sërish në Madrid, por u la i lirë pasi dënimi i tij konsiderohej i përfunduar.
Raportimet tregojnë se ai jetonte prej kohësh në Soria, duke bërë një jetë të qetë dhe nën mbrojtjen e një truproje.
“Ndrangheta”, me origjinë nga rajoni i Kalabrisë, konsiderohet një nga organizatat kriminale më të fuqishme në botë. Ajo ka qenë në qendër të luftërave të përgjakshme mes klaneve mafioze gjatë viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990, konflikte që lanë pas rreth 700 viktima.


