TIRANË– Menjëherë pasi SPAK mbylli hetimet për dosjen Partizani, dhe avokatët e Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë u paraqitën për të firmosur dhe për të tërhequr aktet e hetimit, ish-kryeministri Berisha në një konferencë për gazetarët, u shpreh se ky është një akt i paprecedentë dhe që është bazuar në një piramidë falsifikimi.
“Një përshëndetje në distancë gazetarëve të pranishëm në sallë dhe një përshëndetje të përzemërt mbarë qytetarëve shqiptarë që ndjekin këtë konferencë shtypi, në të cilën unë informoj qytetarët shqiptarë se sot, Edi Rama, kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 milion euro dhe tre apartamenteve sipas tij si rrogëtar shteti, ish-xhelati i policisë sekrete shqiptare me vila dhe ndërtime, Kraja, ndrikulla e bandave të rrezikshme, simotra biologjike e Taulant Ballës, Mellonai, dorëzuan avoketërve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën dhe të njëjtën, shtuar dhe larje parash për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri. Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Edi Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën nën hetim Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, dhe vendosën në shkelje të rëndë të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjeve të vendit, arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit të tij me çdo person tjetër përveç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit si deputet i zgjedhur nga qytetarët, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet për këtë vendim. Ky proces politik kundër Sali Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim. Kësaj të fundit i kisha denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur aktet e saj korruptive. Pas kërkesës publike të Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij në vitin 2022, që Sali Berisha të persekutohej, të ndiqej, të penalizohej.”-deklaroi Berisha.


