SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kryetaren në detyrë të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, e akuzuar për korrupsion pasiv në kuadër të një tenderi publik që dyshohet se është manipuluar për përfitime familjare.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet për procedimin penal nr. 15 të vitit 2025 janë përmbyllur dhe përveç Islamajt, në gjykatë është dërguar edhe Rrok Gegaj, ndërtues, i cili akuzohet për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Rrok Gegaj – akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Zyra Islamaj – akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Zyra Islamaj, gjatë ushtrimit të detyrës si kryetare bashkie, ka ndërhyrë për të favorizuar ndërtimin e një ure mbi një përrua pranë banesës së motrës së saj, nëpërmjet një tenderi të hapur publik.
Ajo dyshohet se ka kërkuar nga ndërtuesi Rrok Gegaj ngritjen e urës në mënyrë të parregullt dhe ka planifikuar të angazhojë edhe një teknik mirëmbajtjeje rrugësh të Bashkisë Tropojë për ta ndihmuar ndërtuesin.
Nga ana e tij, Gegaj ka pohuar se ndërtimi i urës nuk ishte pjesë e procedurave zyrtare të tenderit, dhe se ai kishte planifikuar ta realizonte si “dhuratë” për kryetaren e bashkisë.
Prokuroria e Posaçme nisi hetimet mbi bazën e një kallëzimi të dorëzuar më 8 janar 2025 nga Partia Demokratike, i mbështetur mbi një denoncim televiziv investigativ të transmetuar në nëntor 2024.
Pas grumbullimit të provave dhe administrimit të dëshmive, SPAK ka vendosur ta dërgojë çështjen në gjykatë, ku Zyra Islamaj dhe Rrok Gegaj do të përballen me akuzat për korrupsion në lidhje me fondet dhe procedurat publike në Bashkinë Tropojë.


