Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 11 persona të implikuar në kontrabandën e 670 mijë litrave naftë nga Tunizia, operacion i zhvilluar në Porto Romano, Durrës.
Mes të pandehurve janë:
Armand Marvataj, punonjës policie i Komisariatit të Durrësit, i akuzuar për korrupsion pasiv;
Juxhin Koka dhe Drilon Malluta, të akuzuar për kontrabandë, korrupsion aktiv dhe vjedhje, kryer në bashkëpunim;
Shtetas të huaj, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes “AYA ZANOYBYA”, përfshirë kapitenin Mohammad Sallit dhe oficerin e parë Nedio Mejdani, si dhe marinarë të tjerë sirianë dhe egjiptianë.
Hetimet zbuluan se më 7 janar 2025, ekuipazhi i anijes me flamur tunizian kishte planifikuar, organizuar dhe realizuar kontrabandimin e 200 tonëve naftë në Durrës. Anija dhe sasia e naftës u sekuestruan më 12 janar 2025, në kuadër të operacionit policor “Ari i Zi”.
Më 27 janar 2025, Koka dhe Malluta ofruan 10 mijë euro ryshfet punonjësit të policisë Marvataj, me qëllim që të lejohej nxjerrja e naftës së sekuestruar nga anija, duke bashkëpunuar me ekuipazhin. Shuma u sekuestrua gjatë kontrollit të banesës së Marvataj.
Procedimi penal i SPAK lidhet edhe me hetime të mëparshme të Drejtorisë Rajonale Durrës-Kavajë, ku ishte regjistruar materiali referues në ngarkim të policit dhe shtetasve Koka e Malluta, për veprat penale të korrupsionit dhe kontrabandës me akcizë.
SPAK ka dërguar këtë çështje në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda (GJKKO) për gjykim, duke vijuar hetimet mbi kontrabandën dhe korrupsionin në sektorin e transportit të karburanteve.


