TIRANË– Angel Cani, babai i 14-vjeçarit të ndjerë Martin Cani i cili uvra më 18 Nëntor 2024 ka folur për mediat pas dënimit me 16 burg për autorin e vrasjes, Mario Përlleshaj.
Në fjalën e tij ai tha se falenderon gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ndërsa thekson se me marrjen e këtij vendimi “Sot Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë”.
FJALA E BABAIT TË MARTIN CANIT:
Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne familja e Martin Canit, kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale, vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit. Ky vendim është një akt kurajoz, proesional dhe i drejtë.
Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.
Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
Ne do të vazhdojmë misionin tone me:
-Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
-Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
-Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
-Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.
Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin./Radar.al
Vr*sja e Martin Canit/ Prokuroria kërkoi 25 vite, dënohet me 16 vite burg autori Mario Përlleshaj


