The Art Newspaper i ka kushtuar një artikull skulpturës së kryeministrit Edi Rama, të ekspozuar në panairin ArtBasel në Zvicër.
Artikulli i plotë
Vizitorët e Art Basel do të shohin këtë vit në seksionin e artit publik Parcours një vepër nga një yll i pazakontë i artit: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Politikani po ekspozon një skulpturë prej bronzi, Untitled (2026), e cila ndodhet në fund të Clarastrasse-s me pamje nga lumi Rhine.
Tetorin e kaluar, Société Gallery në Berlin njoftoi se kishte shtuar Ramën në listën e artistëve që përfaqëson. (Ai përfaqësohet gjithashtu nga Marian Goodman Gallery.) “Për Parcours, Rama prezanton një skulpturë të re monumentale prej bronzi, të krijuar mbi bazën e vizatimeve të realizuara në Kryeministri”, thuhet në një deklaratë të Société. Deklarata shton se vizatimet e Ramës krijohen gjatë dhe ndërmjet takimeve në kuadër të rolit të tij si kryeministër.
Ekspozita aktuale e Ramës në hapësirën e Société në Berlin, me titull “Chrysalizing” (e hapur deri më 27 qershor), përfshin një seri skulpturash të reja prej bronzi. “Të vendosura në katin e parë të galerisë dhe jashtë në kopsht, format mbi piedestale dhe baza të ulëta shpërthejnë, fryhen, rrotullohen dhe shumëfishohen”, thuhet në një deklaratë të galerisë. “Vepra [e Parcours] është një version i skulpturës prej bronzi që aktualisht është e ekspozuar në kopshtin e Société, por me një ngjyrë tjetër të shtresës së sipërme”, shton një zëdhënës i galerisë.
Rama, i cili siguroi një mandat të katërt të paprecedentë në maj 2025, pasi zhvilloi fushatë me synimin për ta afruar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian, është një artist i njohur. I formuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai kaloi disa vite duke punuar në Paris përpara se t’i përkushtohej politikës në fund të viteve 1990, duke u bërë kryeministër në vitin 2013. Që atëherë, ai ka vazhduar të krijojë, duke realizuar ekspozita në Centre Pompidou në Paris në vitin 2010 dhe në Bienalen e Venecias në vitin 2017.
Megjithatë, mandati i Ramës në pushtet është shoqëruar edhe me polemika. Nëntorin e kaluar, Belinda Balluku, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë dhe një bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës, u pezullua për shkak të një skandali korrupsioni. Balluku u shkarkua nga Rama në fund të shkurtit; ajo mohon çdo shkelje dhe gjithashtu është kontaktuar nga revista për një koment.


