30-vjeçari shqiptar Gledis Uka, i cili sipas autoriteteve britanike ishte kthyer në makthin e banesave në jug të Anglisë, është dënuar me 10 vite burg për një seri vjedhjesh që shtriheshin në disa qarqe të vendit.
Sipas hetimeve, Uka akuzohej për vjedhje në Berkshire, por edhe në Buckinghamshire, Bristol, Essex, Londër, Suffolk, Surrey dhe Kent.
Ajo që konfirmoi përfshirjen e tij në këto vjedhje u bënë pikërisht gjurmët e gjakut të gjetura në dy prej banesa të grabitura. Pas analizave mjeko-ligjore, policia arriti ta identifikonte Ukën si autorin e dyshuar.
Gjatë dy viteve që pasuan u raportuan edhe vjedhje të tjera me të njëjtën mënyrë veprimi në Edenbridge dhe Sevenoaks. Edhe në këto raste hetuesit gjetën gjurmë gjaku, ndërsa provat e mbledhura i ndihmuan të lidhnin të gjitha ngjarjet me njëra-tjetrën.
Sipas policisë, Uka udhëtonte drejt Anglisë gjatë muajve të dimrit për të kryer vjedhje dhe më pas largohej sërish nga vendi.
30-vjeçari u arrestua më 30 janar 2026 në Essex nga policia e Kentit. Sipas pamjeve, ai u befasua kur policia i hap derën e makinës por nuk bëri rezistencë gjatë arrestit. Një ditë më vonë ai u akuzua për 33 vepra penale të lidhura me vjedhje në të gjithë jugun e Anglisë, përfshirë edhe ato në Buckinghamshire.
Më pas, Uka pranoi fajësinë për 19 vepra penale, në bazë të një marrëveshjeje të pranuar nga prokuroria. Dy akuza të tjera u morën në konsideratë gjatë dhënies së dënimit, ndërsa pjesa tjetër e akuzave mbeti në dosje.
Më 14 korrik, Gjykata e Kurorës në Maidstone e dënoi Gledis Ukën me 10 vite burg.


