Një skandal i rëndë ka goditur një nga bankat më të mëdha në Shqipëri. Raiffeisen Bank ka pranuar zyrtarisht në një proces gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës se ka disbursuar të paktën 20 kredi përmes dokumenteve të falsifikuara, ndërkohë që persona të pafajshëm po përballen me fatura borxhesh për kredi që nuk i kanë kërkuar, firmosur apo marrë kurrë.
Skandali u zbulua falë një procesi civil që nisi pas një ngjarjeje alarmante. Adem B., një 33-vjeçar nga Tirana, mori më 16 korrik 2025 një telefonatë të pazakontë nga një punonjëse e Raiffeisen Bank. “Ju njoftoj se duhet të kryeni pagesën e këstit të kredisë, pasi jeni me vonesë”, i tha ajo. I habitur dhe i pasigurt, qytetari reagoi menjëherë: “Unë nuk kam marrë asnjë kredi, as në këtë bankë dhe as në ndonjë tjetër”.
Pas kësaj telefonate, ai kontaktoi shërbimin e klientit të bankës, duke kërkuar sqarime të detajuara. “Nuk kam aplikuar ndonjëherë për kredi në Raiffeisen, nuk kam as llogari bankare aty. Si është e mundur të kem kredi në një llogari që nuk është e imja?”, u shpreh ai. Ai theksoi se sipas ligjit, një llogari bankare nuk mund të hapet pa paraqitjen personale në sportel dhe pa dokument identifikimi të vlefshëm.

I shqetësuar nga ajo që po kuptonte si një skemë mashtrimi e sofistikuar, 33-vjeçari kërkoi zyrtarisht informacion nga banka për të gjitha detajet mbi kredinë e marrë në emrin e tij: kush e ka firmosur, kush e ka miratuar, çfarë dokumentesh janë përdorur. Por banka refuzoi t’ia japë informacionin, duke e shtyrë atë të ndjekë rrugën gjyqësore për të mbrojtur veten.
Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, juristët e Raiffeisen Bank e pranuan hapur se janë dhënë kredi përmes dokumenteve të falsifikuara, duke zbuluar se bëhet fjalë për rreth 20 raste të tilla mashtrimi, me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra. Sipas tyre, banka është “viktima e parë” e këtij mashtrimi dhe tashmë i ka vënë dokumentet në dispozicion të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, duke bërë edhe kallëzim penal për autorët.
“Çfarë interesi ka banka të fshehë dokumentet? Janë vënë në dispozicion të hetuesve. Ne jemi viktima në këtë skemë”, deklaruan përfaqësuesit ligjorë të bankës në sallën e gjyqit. Ata sqaruan se janë të dokumentuara edhe me video personat që kanë paraqitur identitet të rremë për të përfituar kreditë. “Fotografia nuk është e paditësit. Kartën e identitetit nuk e ka sjellë në bankë ai. Edhe vërtetimi për sigurimet nuk është marrë në bankë, sepse ai merret vetëm përmes e-Albania”, shtuan ata.

Pavarësisht pretendimeve të qytetarit për dëmtim serioz të reputacionit dhe shqetësim të rëndë psikologjik, Gjykata refuzoi kërkesën e tij për të detyruar bankën të japë informacionin, me argumentin se dokumentacioni është tashmë pjesë e një procesi penal në duart e autoriteteve hetimore.


