Një investigim i gazetës britanike Daily Mail ka zbuluar se rrjete kriminale shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar po shesin telefona celularë të lidhur me baza klientësh që blejnë kokainë, për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund.
Sipas hetimit, këto banda kanë ndërtuar të ashtuquajturat “linja droge” – numra telefoni përmes të cilëve pranohen porosi të rregullta nga përdorues britanikë. Fitimet janë aq të mëdha, sa vetë numri i telefonit konsiderohet një aset me vlerë të jashtëzakonshme dhe shitet si biznes i gatshëm.

Telefonat reklamohen hapur në TikTok, kryesisht për kriminelë të tjerë shqiptarë në Britani, të cilëve u ofrohet edhe mundësia për ta testuar linjën për disa ditë apo javë, me garanci se numri është “i pastër” dhe i sigurt nga ndërhyrja e autoriteteve.

Një nga llogaritë e identifikuara nga Daily Mail, e quajtur “Albanian Postcode”, ofronte për shitje një linjë droge në zonën Brighton & Hove për 300 mijë paund, duke pretenduar se numri merr deri në 900 gramë porosi kokaine në javë. Llogari të tjera ofronin telefona në Londër, Leicester, Gloucester, Manchester, Kent, Essex dhe Midlands, me çmime që varionin nga 90 mijë deri në 220 mijë paund.

Hetimi përfshin edhe dëshmi të një ish-trafikanti shqiptar në Birmingham, i cili rrëfen se shpërndante deri në 30 gramë kokainë në ditë dhe paguhej rreth 1,700 paund në javë, pa taksa, nga rrjeti që e punësonte.

Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani konfirmon se bandat shqiptare janë kthyer në aktorë dominues në tregun e kokainës, duke kontrabanduar qindra miliona paund çdo vit dhe duke i transferuar fitimet drejt Shqipërisë. Autoritetet britanike pranojnë se kontrolli i këtyre aktiviteteve në rrjetet sociale është jashtëzakonisht i vështirë, pasi profilet mbyllen dhe rihapen vazhdimisht.

TikTok ka deklaruar se ka mbyllur llogaritë e identifikuara nga Daily Mail dhe se po forcon masat kundër përmbajtjeve të paligjshme.


