Skandali i zbuluar nga Prokuroria italiane për mashtrimin me diploma false të shitura për shtetasit italianë nga një universitet në Shqipëri, ka nxjerrë në pah edhe emrin e një zyrtareje në MAS.
Nga hetimet e kryera zbulohet se një zyrtare e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, është korruptuar me një çantë Luis Vuitton, me vlerë 1200 euro, e cila për rrjedhojë i hapi rrugën akreditimit të universitetit në Shqipëri.
La Republica shkruan se zyrtarja në fjalë është Shqiponja Telhaj, e cila ka qenë në krye të Agjensisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, e njohur shkurtimisht si ASCAL.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar lidhur me Institucionin Jopublik të Arsimit të Lartë Kolegji Universitar WISDOM dhe aktivitetin e tij në Shqipëri, pas skandalit.
Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.
Sakaq, deputetja socialiste Evis Kushi e cila asokohe drejtonte ministrinë e Arsimit u pyet sot nga mediat dhe sqaroi se në asnjë moment emri i saj nuk përmendet në dosjen e prokurorisë italiane si person të cilit do t’i jepeshin dhurata në këmbim të ndonjë ndikimi prej saj në procedurën e akreditimit.
“Personi në hetim thoshte aty përpiqej që të blinte dhurata për Krishtlindje, dhurata të vogla dhe thotë emrin e shportave. Kjo është e vetmja herë ku përmendet emri im. Në paragraf thuhet thotë shporta për Krishtlindje, jo dhurata sepse dhurata për krishtlindje mund të jenë edhe çanta. Këtu është fjala për shporta të cilat u dhurohen institucioneve për Krishtlindje. Por unë nuk e mbaj mend dhe nuk di të them nëse kanë ardhur shporta të tilla në ministri asokohe”, theksoi Kushi.


