Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, ka kërkuar nisjen urgjente të procedurave për heqjen e shtetësisë së nderit për biznesmenin kosovar, Naser Ramaj, i cili është nën akuzë për evazion fiskal. Kërkesa e Spajiçit drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviç, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga qeveria malazeze.
Ramaj mori shtetësinë e nderit në vitin 2023 gjatë qeverisjes së Dritan Abazoviçit, si një prej investitorëve në kompleksin “Porto Budva”, me vlerë 80 milionë euro. Megjithatë, Prokuroria akuzon atë dhe bashkëpunëtoren Valentina Gruboviç për mosdeklarim të të ardhurave nga shitja e hapësirave në këtë projekt.
Gjykata e Kotorrit ka konfirmuar tashmë aktakuzën ndaj tyre, ndërsa kryeministri Spajiç ka paralajmëruar se shtetësia për persona nën hetim rrezikon imazhin ndërkombëtar të Malit të Zi dhe procesin e integrimit në BE.
Spajiç ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e dhënies së shtetësisë së Ramajt, duke kritikuar mungesën e verifikimeve dhe analizave të detajuara nga autoritetet përkatëse.
Kryeministri malazez ka njoftuar gjithashtu se së shpejti do të nisë rishikimin e të gjitha shtetësive të nderit të dhëna, për të parandaluar abuzimet dhe korrupsionin politik.
Mali i Zi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028, ndërkohë që ka mbyllur më pak se 20% të kapitujve negociues.


