Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj pretendimeve të shërbimeve ruse të inteligjencës, të cilat e akuzojnë se “Beogradi vazhdon të dërgojë municion në Ukrainë përmes vendeve ndërmjetëse”.
Vuçiç bëri të ditur se për këtë çështje ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin, duke mohuar kategorikisht vërtetësinë e këtyre pretendimeve.
“Kam folur me presidentin Putin për këtë çështje, edhe në prani të disa anëtarëve të delegacioneve tona, por edhe në bisedë kokë më kokë. Kemi rënë dakord të krijojmë një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për të përcaktuar faktet. Disa nga ato që janë thënë nuk janë të vërteta. Për shembull, pretendohet se ekziston një kontratë me Çekinë, por nuk është dhënë asnjë leje dhe asnjë raketë nuk është dorëzuar,” deklaroi Vuçiç, sipas burimit të N1.
Ndërkohë, Zyra e Shtypit e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse (SVR) publikoi një njoftim në faqen e saj zyrtare, duke pretenduar se, sipas informacioneve të disponueshme, ndërmarrjet e industrisë mbrojtëse në Serbi, pavarësisht neutralitetit të deklaruar të Beogradit, vazhdojnë të furnizojnë me municion Kievin.
Sipas SVR, për këtë furnizim po përdoret një “skemë e thjeshtë”, me certifikata të rreme të përdoruesit përfundimtar dhe vende të ndërmjetme për të maskuar dërgesat drejt Ukrainës.
Vuçiç gjithashtu theksoi rëndësinë ekonomike të industrisë ushtarake për Serbinë:
“Fabrikat tona duhet të vazhdojnë të jetojnë dhe të funksionojnë. Rreth 24 mijë persona janë të punësuar drejtpërdrejt në industrinë ushtarake dhe e kanë jetesën nga ajo. Aktualisht, armët dhe municionet tona i drejtojmë për furnizimin e ushtrisë sonë.”
Ai shtoi se është përballur me akuza të ndryshme, duke ironizuar: “Ata që më parë më quanin spiun rus, tani thonë se kam ndërruar anë. Jo, zotërinj, ne punojmë vetëm për Serbinë.”
Ndryshe, sipas raportimeve ndërkombëtare, Serbia ka eksportuar municione në vlerë prej rreth 800 milionë eurosh (908 milionë dollarë) drejt Ukrainës, përmes vendeve të treta, që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.


