Kaosi dhe radhët e gjata të automjeteve në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd–Përrenjas po shndërrohen në një problem të përditshëm për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në ditët e para të këtij fillimviti.
Situata është rënduar ndjeshëm si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit, me reshje shiu, bore dhe ngrica për shkak të temperaturave nën zero, por edhe nga gjendja e degraduar e infrastrukturës rrugore. Traseja e rrugës është e dëmtuar rëndë, me gropa të shumta pothuajse në çdo segment, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm.
Aksi ndodhet aktualisht në proces zgjerimi për shkak të punimeve në segmentin Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8. Ndërsa këto punime synojnë lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin e turizmit në zonat e Elbasanit dhe Korçës, në praktikë ato po shkaktojnë vonesa të gjata, bllokime trafiku dhe rrezik të shtuar për aksidente.
Prej muajsh, kjo rrugë jetike është kthyer në një makth për përdoruesit e saj. Shoferët ankohen për pritje të gjata, dëmtime të automjeteve dhe mungesë të menaxhimit efikas të punimeve, veçanërisht gjatë kushteve të motit të përkeqësuar.
Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, përfshirë riparimin e trasesë së dëmtuar, përmirësimin e sinjalistikës rrugore dhe një koordinim më të mirë të punimeve, në mënyrë që ky aks strategjik të mos mbetet një pengesë për qarkullimin, por të kthehet sa më shpejt në një lehtësim për banorët dhe udhëtarët.


