Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 25 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet ende aktive.
Sipas njoftimit, vatra e vetme aktive ndodhet në malin mbi fshatin Dhivër, në bashkinë Finiq, ku zjarri është përhapur në një sipërfaqe pyjore në lartësi, si pasojë e një shkarkese rrufeje. Forcat zjarrfikëse lokale ndodhen në terren dhe po e mbajnë situatën nën kontroll.
Ndërkohë, janë shuar të gjitha vatrat e tjera të regjistruara në zona të ndryshme të vendit, përfshirë fshatin Gryksh i Madh në Elbasan, ku u angazhuan 5 mjete zjarrfikëse dhe rreth 70 forca, si dhe në Dhorës (Qendër Skrapar), Gurë-Lurë (Parku Kombëtar Lurë), Daullas (bashkia Fier), Lusën (bashkia Kukës), Blinisht (bashkia Lezhë), Leskovik (bashkia Kolonjë), Grudë dhe Rrjoll (bashkia Shkodër), si dhe në fshatin Ngjeqar (bashkia Roskovec).
Në total, për përballimin e zjarreve në gjithë territorin janë angazhuar 39 mjete zjarrfikëse dhe 375 forca operacionale. Ministria përsërit thirrjen për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë menjëherë pranë autoriteteve në rast se konstatojnë vatra të reja.
Radar.al


