Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njofton se gjatë ditës së 4 korrikut 2025, nga ora 09:00 deri në 20:30, janë regjistruar gjithsej 14 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. Falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të forcave zjarrfikëse dhe emergjencave, 10 prej këtyre vatrave janë shuar plotësisht, ndërsa 4 të tjera mbeten ende aktive dhe po monitorohen me kujdes.
Zjarret e shuara janë evidentuar në këto zona: Komsi (Mat), Hajmel (Vau i Dejës), Perondi (Kuçovë), Ura Vajgurore (Dimal), Ishëm dhe Rrashbull (Durrës), Rubik (Mirditë), Prezë (Vorë) dhe Vërtop (Poliçan).
Zjarret aktive raportohen në këto pika:
Vlorë (Finiq) – Në malin e Shedenikut, zjarri po përhapet në një sipërfaqe me pyll pishe të paarritshme në këmbë. Forcat po monitorojnë situatën nga larg dhe nuk ka rrezik për banesat në zonë.
Elbasan – Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, situata po përmirësohet ndjeshëm. Janë angazhuar mbi 30 mjete zjarrfikëse, si dhe pajisje të tjera ushtarake dhe private, duke përfshirë ekskavatorë, pompa thithëse dhe traktorë të Forcave të Armatosura.
Kukës (Has) – Në zonën mes Gjinaj dhe Domaj, zjarri në pyllin e pishave vazhdon të jetë aktiv, por pjesa më e madhe e tij është izoluar dhe nuk përbën rrezik për zonat përreth.
Tiranë (Vaqarr) – Në fshatin Bulticë, zjarri në shkurre dhe ferra është izoluar falë ndihmës së helikopterit Cougar dhe punës intensive të 40 forcave zjarrfikëse dhe të Agjencisë për Ruajtjen e Pyjeve. Sipërfaqja e djegur vlerësohet rreth 4 hektarë.
Autoritetet lokale dhe shtetërore mbeten në gatishmëri të plotë dhe monitorojnë situatën në terren, duke siguruar burime shtesë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.


