Mëlçia është një nga organet më jetësore të trupit, me rol kyç në pastrimin e gjakut, largimin e toksinave, rregullimin e sheqerit dhe prodhimin e tëmthit. Por kur ajo nuk funksionon siç duhet, pasojat mund të prekin të gjithë organizmin.
Ekspertët paralajmërojnë se disa shenja të hershme shpesh neglizhohen, duke u ngatërruar me lodhje apo stres të përditshëm. Ja cilat janë simptomat që kërkojnë vëmendje:
Lodhje e vazhdueshme, ndjenja e mungesës së energjisë edhe pas gjumit të mjaftueshëm mund të tregojë se mëlçia është e mbingarkuar.
Verdhëza, zverdhja e lëkurës dhe syve tregon grumbullim të bilirubinës, pigment që mëlçia nuk po arrin ta përpunojë siç duhet.
Dhimbje apo fryrje në anën e djathtë të barkut, shpesh sinjalizon zmadhim të mëlçisë ose grumbullim lëngjesh në zonën abdominale.
Kruajtje e lëkurës pa shkak të dukshëm, lidhet me grumbullimin e kripërave biliare, veçanërisht në pëllëmbë dhe shputa, që bëhet më intensive në mbrëmje.
Mjekët këshillojnë që nëse këto simptoma shfaqen, të mos neglizhohen, por të kërkohet menjëherë kontroll mjekësor. Zbulimi i hershëm i problemeve të mëlçisë është kyç për të shmangur komplikacionet serioze.


